©
Skënder Hysenaj

            Muzë e vonuar

Më thanë i vonuar linde mes nëntori
pastaj që të ecja, gjatë më kanë pritur.
Im atë s’më puthi as në duar s’më mori,
ishte me Tbc... kur u shërua, isha rritur.

Fryn veriu sonte, nëse vdes në gjumë,
ca do të thonë: i gjori, as e di që ka vdekur!
Vonë deshi të bëhej poet ky kukum,
të vonuarit i përpin vdekja të thekur.

Ata që më pritën kur linda, përsëri
më presin në qiell kur të iki matanë.
Ta shoh rrugën, nëna ndez një qiri...
im atë nga mërzia do të ndezë duhan.

Larg iku jeta kur nisa për të shkruar,
do të kem ikur me emrin, kur nën ethe
varrin s’ma gjen dot, o muzë e vonuar,
e ka fshehur vjeshta diku nën gjethe.