©
Skënder Hysenaj

     Një tufë rreze 

Edhe pse ike me ditët e gjata
për çudi të dua më shumë.

Të ikshin dritat,
celularit bateria,
të iktë edhe uji
kur je në vaskë
e mbuluar me shkumë...
Nuk u bëre e gjallë,
bie shi i ftohtë
e nga bjeshka nata.

Kur jam vetëm, s’më zë shtëpia.
Tej rruge, nën strehë iku një iriq,
në rrugë, ta zënë kohën
nxitojnë të tjerët.

Prishen në shportë ca fiq
nuk erdhe t’i hamë, të mjerët!
As sonte, kur nuk shihet qielli
e nuk ia shqit shikimin derës...
në duar një tufë me rreze dielli,
i mblodha për ty gjatë verës.