Lamtumira fëmijërisë
Një nuse erdhi kur çeli molla laçe
me sherbet i stërpiku derën shtëpisë.
Të nesërmen i pashë nishane në faqe,
lamtumirë, i thashë fëmijërisë!
Asaj pranvere sa lule molle çelën,
verës fryhej nusja e dukej si bilur,
mollët në vjeshtë të tjerët i vjelën,
kush martohej i ruante për flamur.
Sa dimrave në dëshira jam strukur,
sa vjeshtat m’i mbuluan me dushk,
sa ëndrra vere, ani se janë zhdukur
pranverat ende më ngjajnë në krushk.
