Monolog i një nëne
Në moshën kur ndërrojnë dhëmbët
e vrapojnë pas fluturave në lumë
natën çdo fëmijë trembet...
kjo fotografi më la pa gjumë!
Sonte a i kanë mbuluar këmbët?
Ende më ngjani në dallëndyshe,
do bëhesha mur te dyert e ferrit
për lumturinë tuaj pa mëdyshje,
do t’ia shqyeja lëkurën edhe territ,
nëna në moshë s’qenka ndryshe!
Sa rrallë më vini, gjithnjë nxitoni,
marrë krah kur rrëfeni të qeshur,
kam edhe frikë nga çfarë guxoni.
Kur ikni, pas kohës së ngjeshur,
ju bezdis me... ku jeni, kur shkoni?
Ndodh t’i nxjerr kur hap dollapin
fletoret tuaja nga shkolla fillore,
ju nis në shkollë ua shoh hapin
harrohem... dua të mbaj për dore
dorën, që fëmijët tuaj tani kapin.