©
Skënder Hysenaj

S’mund të jetë atdheu si duam, nëse nuk e duam si është

Nuk mund të jetë atdheu si duam,
nëse nuk e duam si është!
Më tha im at edhe njëherë
kur ika në botë, pas lakmisë.

Ndërkohë ai në qiell iku,
pas tij nëna, e sa... e sa të tjerë.
Tani edhe ikja e një miku...
nuk arrita t’i shkoj as njëherë.

Ani se në spital e kaloi verën,
e shqip i fliste edhe lumi...
athua sa herë e ka zënë gjumi
në pritje, duke shikuar derën?

Sa shumë o njerëz që atëherë,
ikët e u bëtë një me dheun!
Këtu gjermanisht flasin edhe pyjet.
Ju edhe nga qielli shihni atdheun,
unë shoh qiellin... e numëroj yjet!